GJITHÇKA DUHET TË DINI RRETH DIABETIT

SHENDETI YNE

Diabeti Mellitus (DM) është një sëmundje kronike dhe shfaqet kur pankreasi nuk prodhon insulinë ose prodhon një sasi të pakët insuline. Insulina, pra ky hormon që prodhohet nga pankreasi, lejon glukozën të hyjë në qelizat e trupit, duke na dhënë energjinë e nevojshme për të punuar, dhe për të jetuar normalisht, pra është vitale për jetën. 


Diabeti tip 1

Mjekët thonë se diabeti tip 1 haset në rreth 10-15 për qind të të sëmurëve me diabet.Ai shkaktohet nga mungesa totale e prodhimit të insulinës. Pacientët me Diabet tip 1, nuk mund të jetojnë pa insulinë ,ndaj ky tip diabeti është quajtur insulinovartës.Diabeti tip 1 takohet kryesisht tek fëmijët dhe moshat e reja. Ky tip diabeti zhvillohet në përgjithësi papritur,shpejt, zakonisht mbas ndonjë gjendje virale ,zbulohet me lehtësi, sepse shoqërohet me shenjat klinike karakteristike, që e shqetësojnë të sëmurin dhe e çojnë te mjeku apo e detyrojnë të bëjë analizat.

Diabeti tip 2

Diabeti tip 2 është shumë më i shpeshtë. Ai haset në rreth 90 për qind të rasteve me diabet. Në këtë tip diabeti kemi prodhim jo në sasinë e duhur apo në kohën e duhur të insulinës.Diabeti tip 2 shfaqet zakonisht pas moshës 40 vjeç,por ai po haset gjithnjë dhe me shpesh edhe tek fëmijët dhe të rinjtë me mbipeshë dhe obeze. Ai përparon shumë ngadalë, shpesh herë i heshtur, pa treguar shenja për shumë vjet me radhë dhe zbulohet më me vështirësi. Ky tip diabeti nuk kërkon mjekim me insulinë por kërkon “çbllokimin” e insulinës së trupit nga faktorët që e pengojnë atë të veprojë,si mbipesha, obeziteti.

Rreth sëmundjes

Diabeti mund të prekë çdo njeri. Në diabetin tip 2, shenjat e tij mund të jenë më të zbehta apo edhe mund të mungojnë për shumë vjet. Por faktorë rreziku që favorizojnë shfaqjen e diabetit janë: Trashëgimia, apo personat me familjarë me diabet janë më të predispozuar apo kanë mundësi për të bërë diabet më shumë se te tjerët dhe kjo varet nga mënyra e tyre e jetesës; moshat mbi 45 vjeç, obeziteti dhe mbipesha, sasia e lartë e kolesterolit në gjak,mungesa e aktivitetit fizik,ushqyerja jo e shëndetshme, tensioni i lartë i gjakut, konsumimi i shtuar i lëndëve me përmbajtje të lartë sheqeri,gratë me diabet gjatë barrës apo që kanë lindur fëmijë me peshë të madhe, të sëmurë që mjekohen me kortizonikë për sëmundje të ndryshme,personat që bëjnë infeksione të shpeshta,gratë me mykoza të vazhdueshme gjenitale etj.

Shenjat fillestare

  • Tharje goje
  • Shtim oreksi por që shoqërohet me humbje peshe
  • Lodhje më tepër se zakonisht
  • Dhimbje stomaku
  • Shikim i mjegullt
  • Mungese e theksuar përqëndrimi
  • Mpirje e duarve ose e këmbëve
  • Nuk duhet harruar asnjëherë se në shumicën e rasteve , diabeti tip 2 mund të mos shfaqë fare shenja, mund të rrijë i heshtur për vite me radhë, dhe vetëm kur sëmundja e diabetit ka përparuar, shfaqen një sërë shenjash klinike, të cilat janë tipike dhe lehtësojnë shumë zbulimin e diagnozën e saj.

Shqetësimet gjatë diabetit

Diabeti jep ndërlikime: Diabeti është nga të paktat sëmundje që arrin të prekë e të dëmtojë heshtazi e ngadalë thuajse të gjitha organet kryesore të trupit pa përjashtim dhe sidomos enët e gjakut , duke krijuar aksidente dramatike e tragjike,nëse ai nuk mbahet nën kontroll.Diabeti jep ndërlikime si në enët e vogla të gjakut, në kapilarët e arteriet shumë të vogla por jep edhe ndërlikime aterosklerotike në enët e mëdha të gjakut. Diabeti jep komplikacione në sy,këmbë,zemër,veshka dhe në tru,nëse shifrat e sheqerit në gjak nuk mbahen afër vlerave normale diabetit. Sa më i vjetër të jetë diabeti, sa më shumë vjet i sëmuri të jetë me hiperglicemi, sa më e lartë të jetë niveli i saj, pra sa më i çrregulluar të jetë diabeti, aq më të shpeshta , më të përhapura e më të rënda do të jenë këto dëmtime.

Pse është  i rëndësishëm diagnostikimi i hershëm i personave me diabet?

Në momentin e diagnostikimit të diabetit:

  • 50 % e personave kanë edhe sëmundje të zemrës
  • 20 % kanë retinopati diabetike (dëmtime të syve)
  • 8-10 % kanë nefropati (dëmtime të veshkave) apo neuropati(dëmtime të nervave)

Pra, mosdiagnostikimi dhe mostrajtimi në kohë i diabetit mund të çojë në dëmtimin e organeve dhe për këtë arsye është e rëndësishme të diagnostikoheni sa më shpejt të jetë e mundur, dhe kjo arrihet vetëm duke kryer kontrolle të rregullta (check-up).