Gjumi i ditës zvogëlon rrezikun e sulmit në zemër

AKTUALITET LAJME

Lajme të mira vijnë për njerëzit, të cilëve iu pëlqen të flenë gjatë ditës. Sipas një studimi të ri të botuar në revistën britanike “Heart”, gjumi i shkurtër gjatë ditës, i cili praktikohet një ose dy herë në javë, mund të zvogëlojë rrezikun e sulmit në zemër. Shkencëtarët e Universitetit të Lozanës në Zvicër kanë studiuar lidhjen mes gjumit të shkurtër gjatë ditës dhe rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Pjesëmarrës në studim ishin 3462 persona të moshës 35 deri 75-vjeçare, të cilët u monitoruan për një periudhë 5-vjeçare. Hulumtuesit dolën në përfundimin se njerëzit që kanë fjetur për pesë minuta deri në një orë gjatë ditës, një ose dy herë në javë, kanë 48 për qind më pak gjasa të pësojnë sulm në zemër sesa ata që nuk e kanë bërë një gjë të tillë. “Personat që kanë fjetur për një kohë të shkurtër gjatë ditës, një ose dy herë në javë, janë më pak të rrezikuar nga sëmundjet kardiovaskulare, ndërsa nuk është gjetur ndonjë lidhje pozitive për shëndetin e zemrës me rastet kur gjumi është përsëritur më shpesh ose kur ka zgjatur më shumë”, thonë studiuesit.