Kanceri i mushkërive
është sëmundje malinje (e keqe ) që në popull njihet edhe me emrin tumor
femëror (emërtim që nënkupton metastazimin – përhapjen gjegjësisht shumimin e
“mishit të egër”).
Simptomatologjia
Simptomat e para që kanë lidhje me kancerin e
mushkërive janë të përgjithshme (lodhja, plogështia, kolla e thatë, apo edhe me
këlbazë, temperaturë lehtësisht e ngritur) dhe si të tilla edhe pacienti, por
edhe mjeku i nënvlerësojnë. Më vonë, me paraqitjen e prezencës së gjakut në
këlbazë, dhembjeve në kraharor dhe humbje në peshë, alarmohet pacienti dhe
mjeku kërkon rëntgenin e mushkërive ku mund të vërehen hije të madhësisë dhe
formës së ndryshme të dyshimta në kancer. Prej këtij moment fillon intensivisht
dhe në mënyrë të programuar diagnostikimi i sëmundjes si faze e parë e
menaxhimit të tërësishëm të kësaj patologjie. Bëhen ekzaminimet plotësuese
rëntgenologjike (tomografia e kompjuterizuar: prerjet filmike në shtresa të
kraharorit të kontrolluara me kompjuter), fiberbronkoskopia (ekzaminimi me gyp
të lakueshëm në rrugët e frymëmarrjes) dhe marrja e materialit bioptik (për
ekzaminim histopatologjik: në mikroskop me çka identifikohen se cilit tip dhe
cilit stad i takojnë qelizat malinje).
Terapia e kancerit të mushkërive
Terapia varet nga tipi citohistopatologjik
(lloji qelizor e indor i kancerit), përfshirja e mushkërive, si dhe
metastazimet (përhapja në pëlhurë, mushkërinë tjetër, meskraharor-mediastinum
apo organet jashtë kraharorit).
Kirurgjia, nëse është e mundshme, kishte me qenë
zgjidhja më e mirë dhe me prognozë më të mire. Në Klinikën Pulmologjike të
QKUK-së, është i evidentuar vetëm një pacient me mbijetesë prej më shumë se 20
viteve, i cili është operuar nga karcinoma e mushkërisë së majtë (lobektomia e
sipërme-heqja e plotë e lobit të sipërm) dhe ende është gjallë dhe në gjendje
të aftësisë së mirë për punë.
Tretmani tjetër është polikimiterapia (kombinimi
i disa barnave kimike të cilat i mbysin qelizat malinje, por që nuk janë
selektive, ashtu që i dëmtojnë edhe disa lloje të qelizave të shëndosha.
Terapia rrezatuese, e njohur edhe si radioterapia, është terapi që me ndihmën e
rrezeve radioaktive i shkatërron në masë të madhe qelizat malinje, por që
njëkohësisht shkakton edhe fibrozë mushkërore që për pasojë ka zvogëlimin e
kapacitetit të frymëmarrjes.
Këto lloje të terapisë shpesh kombinohen
ndërmjet veti ndonjëherë me efikasitet më të madh apo më të vogël, varësisht
nga shkalla e zhvillimit të sëmundjes, gjendja e përgjithshme e pacientit,
mosha dhe prezenca e ndonjë sëmundjeje tjetër (diabeti-sëmundje e sheqerit,
tuberkulozi, sëmundjet e zemrës, të veshkës apo mëlçisë).
Terapia suplementare (shtesë) aplikohet në tërë
botën dhe ajo qëndron në dhënien e barnave natyrale me prejardhje bimore
(çajeve: i gjelbri posaçërisht, shurupit Varumin, ekstraktit alkoolik të
ehinaceas etj.), apo shtazore (qumështi i bletës-maja e mjaltës, vezët e
shkurtave japoneze, etj.).
Gjatë tërë kohës së menaxhimit të kancerit
mushkëror duhet që pacienti të mbështetet moralisht me ndihmë të psikoterapisë,
e cila është më se e domosdoshme edhe për qëllim të rritjes së efikasitetit së
terapisë bazike si dhe në përmirësimin e kualitetit të jetës.
Fatkeqësisht, përvojat e gjertanishme kanë
treguar se menaxhimi terapeutik i kancerit mushkëror, më shumë ka efekt në
zgjatjen dhe përmirësimin e kualitetit të jetës, sesa në shërim të plotë të
kësaj sëmundjeje fatale.
Kështu, sot e kësaj dite në tërë botën
insistohet në parandalimin e kësaj sëmundjeje, duke filluar nga lufta kundër
duhanpirjes, gjer te respektimi i standardeve ndërkombëtare për ruajtjen e
ambientit nga ndotja, sepse kjo është mënyra më efikase në zvogëlimin e numrit
të kancerit mushkëror.
