Kolesteroli i lartë, ushqimet që duhet të konsumoni dhe ato që duhet të shmangni

AKTUALITET LAJME SHENDETI YNE

Kolesteroli i lartë, në jo pak raste, është rezultat i stilit të jetesës. Mëlçia prodhon 75% të kolesterolit që qarkullon në gjak, pjesa tjetër vjen nga ushqimet. Në nivelet normale kolesteroli luan një rol të rëndësishëm në funksionimin e qelizave, por ka raste kur këto nivele janë shumë të larta, si pasojë e ushqimeve që konsumojmë. Një dietë e shëndetshme, ushtrime të rregullta mund të ndihmojnë në reduktimin e kolesterolit të lartë. Në këtë mënyrë, për të bërë të mundur uljen e nivelit të kolesterolit në gjak ose për ta mbajtur atë nën kontroll, bëni mirë që ndryshimin ta nisni te vaktet tuaja, duke përzgjedhur me kujdes atë që do të konsumoni. Specialistët e shëndetit rekomandojnë kufizimin e ushqimeve që janë të larta në kolesterol, yndyra të ngopura. Në vend të tyre zgjidhni të konsumoni mish pule, peshk dhe bishtajore. Po ashtu, konsumoni një shumëllojshmëri të gjerë të ushqimeve me fibra të larta, siç janë frutat dhe shmangni ushqimin e shpejtë dhe atë të skuqur. Konsumimi i peshkut dhe ushqimeve të tjera që përmbajnë acide yndyrore omega-3 mund të ndihmojnë në uljen e niveleve të LDL. Për shembull, salmon, arrat, bajamet, fara liri dhe avokado përmbajnë omega-3.