Tetori rozë , muaji i ndërgjegjësimit

SHENDETI YNE

Tetori, në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e kancerit të gjirit dhe fokusi kryesor është në informimin dhe edukimin e femrave mbi rëndësinë e shëndetit të gjirit.

Ekzistojnë disa mënyra kontrolli për gjirin të cilat janë :

Vetëkontrolli mujor i gjirit

Vetëkontrolli mujor i gjirit është një veprim shumë i thjeshtë që çdo femër mund ta bëjë pa shumë mundim; me lëvizje rrotulluese me dorë kontrollohen me rradhë gjinjtë, deri në pjesën e sipërme të kraharorit dhe sqetullat. Vetëkontrolli i gjirit rekomandohet të bëhet 1 herë në muaj që nga mosha 20 vjeç. Periudha më e përshtatshme është disa ditë mbas menstruacioneve. Një femër duhet ta kthejë në zakon kontrollin mujor të gjirit.

Ekzaminimi klinik i gjirit

Ekzaminim klinik i gjirit është një kontroll i gjirit i kryer nga një personel mjekësor i trajnuar, i cili mund të kapë kancerin në stade të hershme. Ekzaminim klinik i gjinjve rekomandohet të bëhet 1 herë në vit ose së paku çdo 2 vjet.

Mamografia

Mamografia kap kancerin e gjirit në faza shumë të hershme. Mamografia mund të kryhet në çdo kohë, por do të ishte më e përshtatshme që të zgjidhej momenti kur gjinjtë nuk janë të fryrë apo të dhimbshëm si p.sh. 3-4 ditë mbas menstruacioneve. Nëse mamografia është normale, duhet vazhduar bërja e saj sipas intervaleve kohore të rekomanduara. Kanceri i gjirit mund të shfaqet në çdo kohë, madje edhe nga një mamografi tek tjetra, prandaj mamografia duhet bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe jo vetëm një herë.